Prizren, dënohen të akuzuarit për prostitucion në lokale të masazhit

Gjykata e Prizrenit ka shpallur aktgjykim dënues ndaj F.B., dhe A.G., për veprën penale mundësim ose detyrim në prostitucion.

Dy të akuzuarit janë dënuar me nga një vit burgim, secilin veç e veç si dhe dënim më gjobë në shumë prej 500 euro.

Sipas komunikatës së gjykatës prej datës së pa vërtetuar e deri më 22 nëntor 2019 në  Prizren, në lokalin “R…. Massage”, të akuzuarit F.B., e A.G.,  kanë rekrutuar, organizuar dhe kanë mbajtur personin tjetër me qëllim të mundësimit të prostitucionit dhe atë katër të dëmtuara.

Kjo është bërë në atë mënyrë që punësojnë vajza kryesisht të moshave të reja, duke shfrytëzuar gjendjen e tyre të rëndë ekonomike, pa kontrata pune dhe pa kurrfarë kualifikimi profesional, duke i angazhuar kinse për qëllim të ofrimit të shërbimeve të masazhit, të cilave pas ofrimit të pagës dhe përqindjes në shërbim, u kanë ofruar edhe banim pa pagesë sipas lokalit ku ushtrohet veprimtaria në fjalë, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se gjatë zbatimit të masave teknike të vëzhgimit dhe hetimit me datë 22 nëntor 2019 rreth orës 21:55 min, agjenti i simuluar me urdhëresë të Gjykatës ka shkuar në qendrën “R….. Massage” ku fillimisht në recepcion ka paguar shumën prej 30 euro për masazhe, dhe më pas punëtorja, e cila pos masazhës në dhomë, i ka ofruar agjentit policor shërbim seksual në këmbim të të hollave prej 50 euro, të cilat të holla ky i fundit i  kishte paguar dhe më pas kishte ndërhyrë policia duke e kapur në flagrancë.

Gjithashtu, krahas dënimit kryesor, të akuzuarve gjykata u ka shqiptuar edhe dënim plotësues si konfiskimin e tri monedhave në vlerë prej 50 euro, pesë monedha në vlerë prej 10 euro si dhe tri monedha në vlerë prej 5 euro.

Gjithashtu të akuzuarve u janë konfiskuar edhe dy telefona të tipit Samsung.

Të akuzuarit janë  obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 50 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Kurse kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit thuhet në komunikatë.