Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Prizren, 3 të arrestuar për fajde dhe detyrim

Tre persona të dyshuar për fajde janë arrestuar gjatë ditës së sotme nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren.

Policia ka bërë të ditur se në fillim të  qershorit të këtij viti ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për përfshirjen e disa të dyshuarve në fajde.

Tutje, pas hetimeve fillestare, Policia ka siguruar  urdhëresën e  Gjykatës së Prizrenit për vëzhgim dhe hetim në masa të fshehta të personave të dyshuar.

“Gjatë zbatimit të masave dhe veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi të mjaftueshme se të dyshuarit janë të përfshirë në kryerjen e dy veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’”, njofton Policia.

Tutje Policia ka bërë të ditur se tre persona e dyshuar  që nga viti 2014 kanë përfituar duke ofruar fajde në shumë prej 33 mijë e 500 euro ndaj tre ankuesve dhe nga fajdeja kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme 20 mijë euro, dhe 8.8 ari tokë në vlerë 80 mijë euro.

Në bazë të këtyre dyshimeve policia sot ka zhvilluar urdhër-kontroll në tri shtëpi dhe dy lokacione përcjellëse, pronë e të dyshuarve S.M,, 49 vjeçar, B.M,, 38 vjeçar, dhe B.M,, 53 vjeçar.

“Gjatë kontrollit në cilësi të dëshmive janë gjetur dhe janë sekuestruar 16 dokumente/kontrata mbi shitblerjen e pronave dhe automjeteve, 3 mijë e 850 euro, dhe një telefon mobil”, njofton Policia.

Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari i parë është ndaluar për 48 orë, ndërsa po vazhdohet me hetime për të grumbulluar dëshmi relevante edhe për dy të dyshuarit e tjerë.