Foto: REL/RFE

Pritshmëritë e Hovenier për dialogun në vitin 2024: Presim përparim të njëmend

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka publikuar një video-adresim në të cilin ka folur për ngjarjet e 2023-tës por edhe për atë se çka pret në vitin 2024.

Hovenier tha se gjatë këtij viti ka pasur momente të vështira, por që ka pasur edhe arritje e shumë përparim, për të cilat thotë se duhet kremtuar.

“Kemi parë çaste të krizës, konfliktit dhe tragjedisë këtu në Kosovë, si dhe anembanë globit, duke përfshirë luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe rishtazi konfliktin Izrael-Gaza. Është arritur edhe përparim i madh që duhet ta njohim dhe kremtojmë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po aq të përkushtuara si edhe më parë për partneritetin tonë me popullin e Kosovës” – ka deklaruar Hovenier.

Ai thotë SHBA-të janë të përkushtuara si më parë për partneritet me popullin e Kosovës, teksa ka deklaruar se me Qeverinë e Kosovës kanë shtyrë përpara tri qëllimet kryesore.

“Së bashku me qeverinë dhe popullin e Kosovës, i kemi shtyrë tri qëllimet kryesore të SHBA-ve për Kosovën: Të shohim Kosovën duke marrë vendin e saj në institucionet europiane dhe euro-atlantike; Sundim të ligjit më të mirë dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive, dhe; Zhvillim gjithpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike” – thekson Hovenier.

Hovenier në adresimin e tij ka folur edhe për pritshmëritë e tij sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Dëshiroj të shpreh disa mendime për përpjekjet tona për ri-pozicionimin e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes mbështetjes sonë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Në shkurt dhe mars të këtij viti, Kosova dhe Serbia ndërmorën hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me përmbylljen e marrëveshjes bazë dhe aneksin e zbatimit” – u shpreh ai.

Ambasadori amerikan shpreson që në vitin 2024 të jetë përparim të njëmend në procesin e dialogut, teksa shton se përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe pse ka pasur disa pengesa, ne jemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e saj. Ne besojmë se populli i Kosovës do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga zbatimi i plotë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, të zotimeve të tyre sipas kësaj marrëveshjeje. Në vitin 2024 shpresojmë të shohim përparim të njëmendë, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejtë themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe” – tha Hovenier.

“Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dy vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje” – theksoi ai.

Gjithashtu, ai ka përmendur disa pika kryesore që janë arritur gjatë këtij viti, duke potencuar Gjykatën Komerciale, përfshirjen e SHBA-së në programet e artit dhe arsimit si dhe dyfishimin e zotimit për energji të ripërtrishme.