Prishtina e stërmbushur me bilborde të koalicionit AAK-PSD

Koalicioni parazgjedhor i përbërë nga partia e Kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj dhe partia e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ‘pushtuar’ kryeqytetin me billborde.

Sot është dita e dytë zyrtare e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa numrat e koalicionit dhe kandidatëve të ndryshëm janë shtrirë nëpër shumë rrugë të kryeqytetit.

Para se partitë politike t’í vendosin simbolet e tyre në hapësira publike lidhin kontrata me agjensione të marketingut të cilat duhet të marrin leje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për shpërndarjen e billbordeve.

Rruga “Xhorxh Bush”, rr. “Garibaldi’’, sheshi ‘’Zahir Pajaziti”, rr. “Agim Ramadani’’, hapësirat e ‘’Hotel Grand’’ e të tjera publike në qendër të Prishtinës  të sponzorizuar nga koalicioni AAK-PSD kanë mbushur këto pjesë me fotografitë e mbishkrimet e këtyre partive.

Sipas Rregullës Zgjedhore 13/2013 nenit 3 pika 4.3, materialet e zgjedhjeve nuk duhet të vendosen brenda hapësirës së institucioneve publike, shkollave, objekteve fetare, ose objekteve, në pronësi shtetërore, në monumente, ndërtesa, objekte të cilat kanë rëndësi historike dhe kulturore, fetare ose arkitekturore, brenda ndërtesave dhe zyrave të KQZ-së dhe brenda qendrave të votimit ose në largësi prej më pak se njëqind (100) metrash nga hyrja e tyre.

Ky koalicion ka vendosur simbolet e tyre në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe në afërsi të institucioneve publike të cilat janë në kundërshtim me këtë ligj.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar Shkodran Hotin nga Partia Socialdemokrate.

“Komuna duhet me të jep përgjigje, ata janë kompetent për këtë çështje” tha ai.

Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com gjatë të enjtes.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjithashtu, nuk ka qenë e qasshme për përgjigje të menjëhershme.

Në konferencën e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa është bërë e ditur se gjatë kësaj fushate subjektet politike dhe mbështetësit e tyre mund të organizojnë çfarëdo tubimi ose fjalimi politik, por subjektet politike janë të obliguara të respektojnë kodin e mirësjelljes për subjekte politike.

(Ky artikull është edituar pas reagimit në rrjetet sociale të Shkodran Hotit)