Prezantohet raporti i performancës për 38 komuna, rritet transparenca komunale ndaj qytetarëve

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka prezantuar Raportin e Performancës Komunale, për periudhën janar-dhjetor 2020.

Sipas Krasniqit, për herë të parë këtë vit janë monitoruar raportimet e komunave.

Tutje Krasniqi ka thënë se këtë vit, së bashku me donatorët, janë në dispozicion 8 milionë euro për komunat.

“Matja është një proces me rëndësi të veçantë. Për herë të parë kemi monitoruar raportimet e komunave. Raporti mblidhet në 19 fusha në kompetenca komunale dhe shprehet përmes programit qeverisës. Jemi përkushtuar ta fuqizojmë përformancën nga komunat dhe kësisoj komunat do ta përfitojnë grantin për performancë. Janë në dispozicion 8 milionë euro për komunat që kanë arritur të kalojnë në filtrat e 102 indikatorëve. Mesatarja e përgjithshme prej 57.06% është tregues që komunat duhet të zgjerojnë kapacitetet e tyre menaxhuse për të përmirësuar shërbimet dhe qeverisjen sipas kompetencave të tyre vetanake, e sidomos në fushat me performancë të ulët si: përfaqësim të barabartë gjinor, transport publik, kanalizim, parkingje, zhvillim ekonomik lokal, planifikim hapësinor, shërbime shëndetësore, hapësira publike dhe infrastrukturë”, tha ministri Krasniqi.

E udhëheqësi i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale, Diellor Gashi, tha se komunat me shumicë serbe kanë pasur performancë më të dobët për shkak se disa të dhëna janë shpallur të pavlefshme e në disa raste edhe për shkak të keq-raportimit.

“Raporti vjen si rezultat i punës së përbashkët me zyrtarët për raportim të komunave. 38 komuna kanë paraqitur raportet e tyre, përpos Mitrovicës së veriut. Janë një grup të komunave që reflektojnë një numër të vogël të . sa i përket fushave specifike janë si për shërbimet publike. Vlen të përmendet se është rritur transparenca komunale, te qasja në dokumentet zyrtare, të ndryshme financiare e kështu më radhë. 6 milionë vizita të qytetarëve janë kryer nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare”, deklaroi Gashi.