Presidentja Osmani takon homologen e saj nga Maqedonia e Veriut, Siljanovska-Davkova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).

Osmani i ka uruar asaj marrjen e detyrës, ndërsa ka thënë se kanë diskutuar për raportet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit.

“Edhe një herë, Presidentes ia urova marrjen e detyrës, gjersa diskutuam edhe për raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve të të dy shteteve tona”- ka shkruar Osmani në Facebook.

Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit më 08.05.2024.

Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Këtë të enjte më 13.06.2024  do të mbahet Samiti i vendeve të Europës Juglindore, pjesë e të cilit do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka udhëtuar për në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

“Në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Osmani do t’i bashkohet krerëve të shteteve pjesëmarrëse për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon”, – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Vendet anëtare të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania, Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia.