Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Osmani pritet nga kryeministri kroat, diskutojnë për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim sot nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, dhe ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës.

“Presidentja Osmani ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheq trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin” – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Më tej thuhet se kryetarja e shtetit ka folur me kryeministrin kroat për provat e mbledhura nga Policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët ndërkombëtarë.

E para e vendit i ka shprehur falënderimin e saj kryeministrtit të Kroacisë për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin e dy shteteve në fushën e mbrojtjes.

Sipas njoftimit, ata kanë diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.

Presidentja, Vjosa Osmani është duke qëndruar në Kroaci për një vizitë zyrtare dyditore, me ftesë të kryeministrit Plenkoviq.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa anëtarët e tij ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike, Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Gjetja dhe sekuestrimi i armëve dhe i pajisjeve të tjera që grupi terrorist i ka braktisur në Banjskë dhe në zonën përreth po vazhdon ende.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente të Kosovës.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, ai që ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.