Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Presidentja Osmani kërkon hetim rigoroz në rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për rastin e dhunimit të një 11-vjeçare nga 5 persona të dyshuar.

11-vjeçarja dyshohet se dhunuar seksualisht një park të kryeqytetit, përderisa ishte duke ecur, ajo ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.

Osmani për këtë ngjarje ka thënë se është tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të së vajzës 11-vjeçare.

“Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës” – është shprehur Osmani.

Tutje ajo ka thënë se me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin.

“Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët” – ka thënë Osmani.

Sipas saj, dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë.

Po ashtu, Osmani ka thënë se kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë dhe se nuk duhet të lejohet që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.

“Për fat të keq, në raste të caktuara, për vite me radhë, mostrajtimi i barabartë i jetës së grave dhe i asaj të burrave, fajësimi i viktimës e jo i dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit” – thuhet në reagimin e të pares së vendit.

Ajo tutje kërkon nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës.

“Është koha po ashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve. Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore” – tha Osmani.

Lidhur me rastin deri më tani janë arrestuar dy të pandehur, E.R, 27-vjerçar dhe i miturit G.R, 11-vjeçar.

Gjykata Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se kanë caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve nga një muaj.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për secilin veç e veç” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Lidhur me këtë rast deri më tani janë arrestuar vetëm dy të dyshuar përderisa të tjerët vazhdojnë të jenë në arrati.

Sipas organit ndjekës njëri nga të dyshuarit është i njohur për organet e rendit për vepra të ngjashme penale.

Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park përderisa ishte duke ecur