Presidentja Osmani dekoron Forcat e Armatosura të Kandasë me Medalje Presidenciale Ushtarake

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot gjatë ditës së parë në vizitën e saj në Kanada ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kandasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada.

Në takim me ministren e mbrojtjes, Anita Anand, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për bashkëpunim më sferën e sigurisë, duke përmendur zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, e cila sipas saj po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne, falë koordinimit me partnerët strategjik, thuhet në një komunikatë për media nga presidenca.

Tutje, sipas njoftimit, Osmani ka falënderuar Kanadanë për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka theksuar se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen kanadeze, posaçërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Përveç falënderimeve për mbështetje nga shteti kanadez, Presidentja Osmani ka theksuar tendencat negative të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, duke potencuar mundësitë për destabilizim edhe nga retorika nxitëse dhe veprimet e shtetit serb.