Presidenti Thaçi e citon Agim Bahtirin për ta kundërshtuar Vetëvendosjen në Kushtetuese

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta shpallë të papranueshëme kërkesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje dekretin me të cilin Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për kryeministër.

KALLXO.com, ka siguruar komentet e kreut të Shtetit në lidhje me çështjen e ngritur nga deputetët e LVV-së, në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit.

Komentet presidenti i ka rënditur në një letër të gjatë 55 faqesh drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Me anë të këtyre komenteve presidenti Thaçi e ka arsyetuar dekretin me të cilin e ka mandatuar Avdullah Hotin për formimin e qeverisë.

Sipas tij ky dekret është në përputhje me Kushtetutën dhe është nxjerrë që të mbrojë qytetarët e Republikës se Kosovës dhe me qëllim që të mos shkaktohet ndonjë krizë kushtetuese dhe institucionet të funksionojnë në mënyrë të rregullt.

“Pikërisht për të mbrojtur qytetarët e Republikës se Kosovës, me qëllimin më të mirë që të mos shkaktohet krizë kushtetuese dhe institucionet të funksionojnë në mënyre kushtetuese, Presidenti ka nxjerrë Dekretin nr. 2412020 (30.04.2020) për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në këto komente.

Sipas presidentit vullneti i qytetarëve në këtë rast është shprehur përmes mbi dy të tretave (2/3) të  deputetëve të Kuvendit të cilët janë përcaktuar për Qeveri të re dhe jo për të shkuar në zgjedhje të reja.

Ai i bën me dije Lëvizjes Vetëvendosje se qytetarët nuk e zgjedhin Qeverinë por Kuvendin dhe presin që ky kuvend të ketë mandat katër vjeçar.

“Republika e Kosovës është me demokraci parlamentare dhe parashtruesit e kërkesës duhet të kenë të qartë, që qytetarët në një vend me demokraci parlamentare nuk e zgjedhin Qeverinë, por e zgjedhin Kuvendin. Qytetarët kur votojnë presin që Kuvendi të ketë mandat katërvjeçar dhe propozimi për të shkuar në zgjedhje të reja do të thotë shkurtim i mandatit të Kuvendit, gjë që i privon qytetarët e Kosovës nga përfaqësuesi i tyre, në një kohe më të hershme se që besonin dhe shpresonin”, thuhet në komentet e presidentit.

Në këto komente i pari i vendit thekson se nuk mund të shkohet në zgjedhje kur t`i konvenojë ndonjë partie politike pasi Kushtetuta ka paraparë që zgjedhjet duhet të mbahen çdo katër vite.
Sipas tij shkuarja në zgjedhje të reja, përkundër vullnetit të të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend për të mos shkuar në zgjedhje do të përbënte shkelje kushtetuese.

Presidenti deklaron se pas votimit të mocionit ndaj qeverisë i është drejtuar disa herë kryetarit të LVV-së, me kërkesë për formimin e Qeverisë mirëpo në asnjërën nga këto shkresa nuk ka pranuar ndonjë emër për mandatar.

Bazuar në këtë Presidenti ka konsideruar se partia që ka fituar shumicën në Kuvend ka neglizhuar në vazhdimësi adresimin e presidentit duke mos u përgjigjur dhe se këto kanë qenë argumente të mjaftueshme për të treguar që Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar kandidatin për kryeministër.

Në komentet e tij drejtuar Kushtetueses presidenti thekson se Lëvizja Vetëvendosje me çdo kusht është përpjekur të imponojë shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai deklaron se  pas konsultimit të vazhdueshëm është dashur të gjejë rrugë për formimin e Qeverisë, me qëllim që vullnetin e partive politike dhe përfaqësuesve të popullit ta materializojë përmes procedurave kushtetuese për formimin e Qeverisë.

Presidenti deklaron se me qëllim të shmangies se zgjedhjeve të parakohshme dhe ruajtjes së stabilitetit në vend pas konsultimit me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe pajtimit të shumicës absolute të tyre për të formuar Qeveri të re ka dekretuar Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë.

Sipas tij ky dekret është nxjerrë në përputhshmëri të plotë me nenin 95 të Kushtetutës dhe paragrafin 90 të Aktgjykimit ne rastin nr. KOI03114 ku sipas këndvështrimit të Gjykatës, është në diskrecionin e presidentit të Republikës që, pas konsultimeve me partitë dhe me koalicionet, të vendos se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për kryeministër.

Në këto komente presidenti i vendit i ka përmendur edhe deklaratat e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri duke i cilësuar se gjuhë të urrejtjes.

“Kryetari i Mitrovicës se Jugut z. Agim Bahtiri (njëherë edhe zyrtar i larte i Lëvizjes Vetëvendosje) me datën 30 mars 2020 deklaroi publikisht (Citim): “Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe do t’ia tregojmë secilit vendin. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje. Mos hini në një konflikt vëllavrasje, sepse ne nuk e kemi ndërmend me leshu me na vjedhë dikush pushtetin”, thuhet në komentet e Thaçit.

Komentet e presidentit të Shtetit vijnë pasi me datë 30 prill 2020, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin së Dekretit me të cilin Avdullah Hoti i propozohej Kuvendit të Republikës se Kosovës si kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e re.

Në fund presidenti i ka kërkuar Gjykatës që këtë kërkesë të deputetëve të Vetëvendosjes ta shpallë të papranueshme.

“Konsiderojmë që kërkesa në rastin KOn120 duhet të shpallet e papranueshme nga Gjykata  Kushtetuese, për faktin që ajo është e paqartë si në saktësimin, ashtu edhe ne arsyetimin e saj”, ka thënë presidenti.

Ky dekret ishte pezulluar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese.