Presidenti shqiptar, Ilir Meta - Foto: REL/Reuters

Presidenti Ilir Meta reagon ndaj bllokimit të shqiptarëve në pikat kufitare me Greqinë dhe Malin e Zi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka reaguar ndaj bllokimit të shtetasve shqiptar në pikat kufitare me Graqinë dhe Malin e Zi.

Meta ka shkruar se pengesat që po hasen kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe autoritetet shqiptare duhet të informojnë qytetarët mbi gjendjen dhe procedurat e reja,  që duhen respektuar në pikat kufitare.

“Autoritetet shqiptare përgjegjëse të informojnë pa vonesë qytetarët tanë mbi gjendjen dhe procedurat e reja që duhen respektuar në pikat tona kufitare, të imponuara nga pandemia COVID-19, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të pamenaxhueshme”, ka shkruar Meta.

Ai po ashtu ka bërë thirrje që qytetarët të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe konsullatat, që të evitojnë lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë.

“U bëj thirrje të gjithëve që, duke forcuar bashkëpunimin midis qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse në këtë situatë të vështirë, të tregojmë mirëkuptim e bashkëpunim, por veçanërisht solidaritet dhe përgjegjshmëri të lartë për të kapërcyer me sa më pak kosto këtë sfidë të jashtëzakonshme”, thuhet në fund të reagimit të presidentit shqiptar.