Presidenti i Turqisë i dorëzon parlamentit për ratifikim ofertën e Suedisë për NATO-n

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka paraqitur në parlamentin e Turqisë për ratifikim një protokoll për pranimin e Suedisë në NATO, ka thënë zyra e tij të hënën.

Erdogan e pati vonuar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë, duke e akuzuar Stokholmin se ishte shumë i butë ndaj militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ai i sheh si kërcënime sigurie. Turqia është zemëruar gjithashtu nga një seri protestash për djegien e Kuranit në këtë vend nordik.

Të 31 aleatët e NATO-s duhet ta mbështesin anëtarësimin e Suedisë. Turqia dhe Hungaria janë dy aleatët e vetëm që ende nuk e kanë ratifikuar atë.

Një deklaratë e shkurtër nga drejtoria e komunikimeve presidenciale thotë se Erdogan e ka nënshkruar protokollin për pranimin e Suedisë në NATO, i cili më pas do t’i dorëzohet Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë.

Nga ana e tij, Suedia e ka mirëpritur këtë vendim nga ana e Erdoganit.

“Më vjen mirë të dëgjoj se presidenti turk Erdogan i ka dorëzuar tani dokumentet e ratifikimit parlamentit turk,” shkroi kryeministri suedez Ulf Kristersson në X, platforma e njohur më parë si Twitter.

“Tani i takon parlamentit të merret me këtë çështje. Ne presim me padurim anëtarësimin në NATO.”

Suedia dhe fqinji i saj Finlanda po i braktisin dekada të mos-angazhimit ushtarak pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin ushtarak të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Duke kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, Finlanda iu bashkua aleancës ushtarake në prill të këtij viti.

Në fillim të këtij muaji, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi Turqisë ta ratifikojë shpejt anëtarësimin e Suedisë në organizatën ushtarake./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala