Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatëve për kryetar të Istogut për zhvillimin e turizmit

Kandidatët për kryetar të Istogut për balotazhin e 14 nëntorit, në “Debat Përnime” kanë treguar për planet e tyre për zhvillimin e turizimit në këtë komunë.

Kandidati nga AAK-ja Bekë Berisha ka premtuar të themelojë një shkollë profesionale për turizëm dhe hoteleri.

“Te turizmi e kemi menduar ta bëjmë shkollën profesionale të turizmit dhe hotelerisë. Aty do të mësohen edhe për hoteleri edhe për guida, dhe letërnjoftimi i komunës, e të gjitha këto. Mendoj kjo të jetë një qendër rajonale, që lidhet edhe me bujqësinë. Do të jetë si një lloj universiteti rajonal në Istog, e kam në plan dhe e di qysh bëhet”, theksoi ai.

Berisha tha se ky investim kushton 30 milionë euro.

“Ka njerëz që dëshirojnë me investu, pasi kam komunikuar direkt me ta, është i mundshëm dhe do të bëhet”, tha ai.

Kurse, kandidati nga radhët e LDK-së, Ilir Ferati, tha se kanë njerëz të përgatitur që mund të japin kontribut në këtë fushë.

“Te pjesa e turizmit, ne kemi klube lokale që janë shumë të përgatitura dhe të trajnuar të ofrojnë shërbime, s’po ua përmendi emrin për shkak të fushatës. E bëjnë këtë punë me emocion dhe me ndjenjë sepse janë njerëz të Istogut”, tha ai.

Ferati shtoi se do të bëjnë edhe dixhitalizimin dhe krijimin e platformës online sipas standardeve të bjeshkatarisë për të gjitha destinacionet turistike të Istogut.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Istog:  Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Ilir Ferati ka siguruar 41,09 për qind të votave, kurse Bekë Berisha nga AAK, ka marrë  26,49 për qind.