Prej të mërkurës ndalohen vizitat në burgjet e Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vendosur të ndalojë përkohësisht vizitat e familjarëve në qendrat e burgimit, të organizatave joqeveritare dhe vikendet e lira për të burgosurit, me qëllim për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19.

Vendimi është marrë sot, ndërkohë ndalesa do të hyjë në fuqi më 21 tetor.

“Si alternativë në të gjitha institucionet korrektuese do mundësohen telefonatat me të shpeshta dhe sistemi i komunikimit virtual përmes SKYPE sipas procedurave institucionale. Po ashtu, për shkak të ndalimit të përkohshëm të vizitave, pastrimi i rrobave për të burgosur do të organizohet në Institucione. Nga ky vendim përjashtohen Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit rasteve të gjykimit, të cilat janë në zhvillim”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Sipas njoftimit nga ky vendim përjashtohen Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit  rasteve të gjykimit, të cilat janë në zhvillim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin e gjerë rreth hapave në vazhdim”, thuhet tutje në njoftim.