Forcat e FNSH - Foto ilustruese: Policia e Shtetit

Policia sekuestron 613 kg kanabis dhe një gomone

Operacioni policor i koduar “Godull” u finalizua pasditen e së mërkurës pranë bregdetit të Godullës në Kurbin.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi shtetasve S. Z., 60 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Kurbin dhe R. S., 28 vjeç, banues në fshatin Thumanë.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Godull”, Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi gjetën dhe një gomone,” tha policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

“Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. Z., është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu dhe 13 fishekë,” shtoi ajo.

Sipas policisë nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do trafikonin lëndën narkotike përmes detit, ndërsa vijon  puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Operacioni i policisë së rendit në bashkëpunim me atë kufitare erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta trafikuar.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat  penale “Trafikim i  narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”. (reporter.al)