Arrestimi i një të dyshuari për fajde në Pejë. Foto: Policia e Kosovës

Policia publikon pamje nga arrestimet e fajdexhinjve - VIDEO

Policia e Kosovës ka publikuar pamje nga operacioni kundër një grupi të fajdexhinjve, gjatë të cilit janë arrestuar pesë të dyshuar.

Me aktvendim të prokurorit, katër prej tyre janë dërguar në mbajtje.

“Po ashtu, hetuesit policorë kanë konfiskuar edhe dëshmi relevante për rastin” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga pamjet e Policisë shihet se disa arrestime kanë ndodhur në një kafene.

KALLXO.com mëson se shuma për të cilën bëhet fjalë në këtë rast është 240 mijë euro.

Sipas informacioneve që ka KALLXO.com, 120 mijë euro janë dhënë fajde dhe në këmbim janë kërkuar 240 mijë euro.

Tash e një kohë Prokuroria në Pejë është duke e trajtuar dhe hetuar këtë rast. Sot hetimi u shtri edhe në aksion në të cilin u prangosën të dyshuarit.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, tregoi se veprat penale për të cilat janë arrestuar të dyshuarit janë, fajde, detyrim si dhe rrëmbim.