Policia për arrestimet e zyrtarëve të PSD-së, thotë se lënduan tre policë

Pas përfundimit të protestës së veteranëve, Dardan Molliqaj i PSD është arrestuar pas një urdhërarresti që ishte ndaj tij.

Por nën pranga përfunduan edhe katër kolegë të tij, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça. Sipas policisë ata “penguan zyrtarët policorë” gjatë arrestimit të Molliqajt.

Policia e Kosovës në raportin policor ka bërë të ditur se si pasojë e kësaj “pengese” kanë pësuar lëndime trupore tre zyrtarë policorë.

Në raportin 24-orësh të organeve të rendit, lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Dardan Molliqaj dhe katër anëtarë tjerë të Partisë Socialdemokrate janë arrestuar të enjten. Arrestimi ka ndodhur menjëherë pas protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku po merrnin pjesë.

Pas disa orësh, Molliqaj reagoi në rrjetin social “Facebook” duke e ka cilësuar si të paligjshëm arrestimin e tij nga ana e Policisë së Kosovës.

“Më arrestuan me pompozitet, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar 16 ditë më parë, edhe ai i lëshuar jashtëligjshëm. Më liruan pas 2-3 orësh sepse s’kishin si t’më mbanin kur edhe urdhërarresti edhe arrestimi ishin të paligjshme”, tha Molliqaj në reagimin e tij.

Edhe anëtari tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi, mbeti i arrestuar nën dyshimin se ka penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.

Ai gjithashtu e cilësoi arrestimin e tyre si arrestim joligjor.

“Kjo është fytyra e Qeverisë Kurti. Na arrestuan brutalisht për të treguar forcë, e na liruan pas 2 orësh sepse arrestimi ishte joligjor. Arbitrariteti i mendësisë totalitare nuk është ndryshe”, tha Krasniqi.

Molliqaj akuzohet për sulm fizik ndaj Haki Abazit.