Molliqaj flet për arrestimin e tij
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj e ka cilësuar si të paligjshëm arrestimin e tij nga ana e Policisë së Kosovës.
“Më arrestuan me pompozitet, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar 16 ditë më parë, edhe ai i lëshuar jashtëligjshëm. Më liruan pas 2-3 orësh sepse s’kishin si t’më mbanin kur edhe urdhërarresti edhe arrestimi ishin të paligjshme”, tha Molliqaj në reagimin e tij.
Tutje ai tha se këto veprime policore joligjore ndodhën pasi Qeverisë Kurti ‘po i dridhen themelet’.
“Brutaliteti autoritar që kundërshtimin e vërtetë synon ta shtypë me dhunë, nuk ka tjetër formë. Qeverisë Kurti po i dridhen themelet, prandaj këto veprime policore joligjore”, u shpreh udhëheqësi i PSD-së.
Ai, po ashtu, këtë arrestim e cilësoi si rezultat të qartë të presionit politik, tentim frikësimi e shfaqje e forcës, sipas tij, në një kohë kur kundërshtimi qytetar po rritet ndaj kësaj qeverie.
“Pse zgjodhën pikërisht 1 ditë para protestës së veteranëve ta aktivizojnë këtë urdhërarrest që ishte lëshuar para 2 javësh për një rast krejt tjetër?! Pse më liruan menjëherë, pa më dërguar as në prokurori e as në gjykatë?!”, tha ndër të tjera Molliqaj.
Edhe anëtari tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi mbeti i arrestuar sot nën dyshimin se ka penguar zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrës.
Krasniqi, po ashtu, pati në reagim. Ai gjithashtu e cilësoi arrestimin e tyre si arrestim joligjor.
“Kjo është fytyra e Qeverisë Kurti. Na arrestuan brutalisht për të treguar forcë, e na liruan pas 2 orësh sepse arrestimi ishte joligjor. Arbitrariteti i mendësisë totalitare nuk është ndryshe”, tha Krasniqi.