Foto: Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës/Facebook

Policia jep detaje për vdekjen e shtetases amerikane në Brezovicë

Një shtetase amerikane ka vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë të martën, më 13.02.2024, pasi e njëjta dyshohet se është zënë nga një ortek bore.

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka thënë se viktima është gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit pa shenja jete në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”.

Tutje policia ka thënë se ngjarja është shpjeguar nga bashkëshortit i viktimës, i cili është shtetas britanik.

Çifti u tha se ishin duke skijuar bashkë, kur dyshohet se viktima është zënë nga orteku i borës.

“Me vendim të prokurorit trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion” – tha PK.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli tha për KALLXO.com dhe shtoi se viktima është rreth moshës 54-vjeçare.