Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia jep detaje për incidentin mes vëzhguesve të LVV dhe PDK në Skenderaj

Në incidentin e ndodhur në Komunën e Skenderajt, pasditen e sotme mes një vëzhguesi të LVV-së dhe një komisioneri të PDK-së, ka intervenuar edhe policia, duke iniciuar rastin si sulm  dhe dërguar atë në procedurë të rregullt.

“Në shkollën ‘Anton Qetta’, është trajtuar rasti, sipas prokurorit është iniciuar rasti ‘sulm’ dhe është dërguar në procedurë të rregullt”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

KALLXO.com mëson se rasti është hapur ndaj komisionerit të PDK-së, Sadik Buzhala.

Ekipi i KALLXO.com, ka raportuar se sërish ka pasur incident mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në një vendvotim ku për incidentin ka ndërhyrë edhe policia. Sipas informacioneve të para, në polici ishte shoqëruar një komisioner i një partie.

Vëzhguesi i LVV-së Çlirim Gërbeshi, ka thënë deri sa ishte në stacion të policisë, është kërcënuar nga komisioneri i PDK-së.

“Jam kërcënuar nga një komisioner i PDK-së. Më kanë pru në stacion policor, këtu jam tash. Atë tjetrin nuk e kanë pru”, kishte thënë ai.

Ndërsa, Sadik Buzhala komisioner i PDK-së ka thënë për KALLXO.com se nuk i ka lënë të hyjnë brenda dy vëzhgues të LVV-së, pasi ata i kishin bexhat e mbuluar.

“Ju thash, ju dy nuk bënë me hi. Më ka thënë një fjalë fyese që nuk po mundem me përmend, edhe nuk i kam thënë asgjë edhe e kom qit jashtë”, tha ai duke shtuar se nuk ka pas kërcënim dhe se e ka intervistuar edhe policia.

LVV dhe PDK sërish përplasje në Skenderaj, një i shoqëruar në Polici