Ilustrim

Policia e Shqipërisë jep detaje për vrasjen në Tiranë, autorët në arrati

Policia e Shtetit në Shqipëri ka konfirmuar vrasjen e një gruaje sonte në Tiranë, pas të shtënave me armë zjarri në një lokal.

Sipas Policisë, e vdekur nga të shtënat ka humbur jetën banakierja e lokalit, gruaja 60-vjeçare, ndërsa të lënduar kanë mbetur gjashtë persona, në mesin e tyre një vajzë 10-vjeçare.

“Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri”- thuhet në njoftimin e policisë.

“Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.  Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare”- vijon njoftimi.

Policia e Shtetit tutje thekson se për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

“Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët”- thuhet në njoftim.