Policia e Kosovës rishpall tender për goma të dimrit

Policia e Kosovës ka publikuar në E-Prokurim njoftimin se ka rishpallur tender për furnizim me goma të dimri për veturat e saj.

Për këtë tender Policia e Kosovës parashikon që të shpenzojë 9 mijë e 910 euro.

Në tenderin e publikuar në E-Prokurim, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe për specifikat dhe dimensionet e gomave të dimrit të cilat synon t’i blejë.

Sasia e gomave që janë kërkuar në tender është 62.

Pra Policia e Kosovës ka kërkuar që të pajiset me 8 goma të dimensioneve 235/45R18, 4 goma të dimensioneve 225/60R16, 28 goma të dimensioneve 7.50R16C, 4 goma të dimensioneve 265/70R15, 2 goma të dimensioneve 275/40R20, 12 goma të dimensioneve 225/70R19.5 dhe 4 goma të dimensioneve 245/40R18.

Policia e Kosovës gjithashtu ka thënë se gomat e dimrit duhet të kenë datën e prodhimit jo më të vjetër se dy vite. Garancioni i gomave të jetë minimum deri në 12 muaj, gjithashtu që kompania e cila do të jetë fituese e tenderit të bëjë edhe montimin e gomave, të gjitha gomat të jenë të reja dhe të papërdorura si dhe që në çmim përfshihet edhe montimi i gomave të dimrit.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës edhe se sa vetura aktualisht Policia nuk i ka të pajisura me goma dimri. Deri në publikim të këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com kishte raportuar në fillim të këtij viti për një tender të njëjtë të Policisë së Kosovës për furnizim me goma të dimrit.

Njoftimi për kontratë ishte publikuar në janar të këtij viti ndërsa Policia kishte parashikuar që çmimi i furnizimit me goma dimri të ishte 7 mijë e 828 euro.

Në janar Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka anuluar aktivitetin e prokurimit për shkak se kompania që kishte aplikuar për të marrë tenderin kishte ofruar çmim të papërgjegjshëm.

Në këtë tender sipas dosjes kishte aplikuar vetëm një ofertues.  I njëjti kishte ofruar për këto kërkesa çmimin prej 9 mijë e 940 euro, pra më shumë se vlera e parashikuar nga Policia.

Përveç tenderit për goma dimri për veturat e Policisë së Kosovës, kjo e fundit ka shpallur tender edhe për furnizim me zinxhirë bore dhe kutia të ndihmës së parë.

Vlera e parashikuar e kontratës për pajisje për automjetet e PK-së me zinxhirë bore e kuti të ndihmës së parë është 18 mijë euro.