Policia tenton në janar të blejë goma të dimrit i dështon tenderi

Një numër i veturave të policisë kanë mbetur në parkingjet e objekteve të Policisë së Kosovës pasi që të njëjtat nuk janë të pajisura me goma dimri.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se veturat kanë mbetur të parkuara.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Zyra për Informim e Departamentit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për të njëjtin rast por të njëjtit deri në publikim të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Në ueb faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në dhjetor të vitit 2019, është bërë publik edhe tenderi për furnizim me goma dimri.

Afati për dorëzimin e ofertave, sipas tenderit 6 janari i këtij muaji.

Policia në tenderin e publikuar në E-Prokurim ka thënë se kanë nevojë për 24 goma të dimensionit 7.50R16C, katër goma të dimensioneve 255/60R16, katër koma të tjera të dimensioneve 235/55R17, katër goma me dimensione 275/40R20, 12 goma me dimension 225/70R19.5, tetë goma me dimensione 265/70R15 dhe katër goma me dimensione 8.5R17.5.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi sipas publikimit të dosjes në E-Prokurim, ka qenë 7 mijë 828 euro.

Në këtë tender sipas dosjes ka aplikuar vetëm një ofertues.  I njëjti kishte ofruar se për këto kërkesa çmimi duhet të ishte 9 mijë e 940 euro.

Për këtë ofertë, Autoriteti Kontraktues ka vendosur që ta anuloj vendimin, për shkak të ofertave të papërgjegjshme.

Në arsyetimin e Autoritetit Kontraktues për eliminimin e ofertuesit thuhet se në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë është kërkuar ofrimi i katalogut ose broshurës për të parë karakteristikat teknike të prodhuesit mirëpo i njëjti ofertues nuk e ka ofruar katalogun.

“Vlera e ofertës është 9 mijë e 940 euro ndërsa vlera e parashikuar është 7 mijë e 828 euro”, thuhet në arsyetim.

Tenderi i ofertuesit “Selver Shala B.I.” sipas Autoritetit Kontraktues është vlerësuar si i papërgjegjshëm.