Policia e Kosovës pranon donacion nga OSBE-ja poligonin e Njësisë K-9

Policia e Kosovës ka marrë donacion nga OSBE poligonin trajnimin e Njësisë së qenve K-9.

Përmes një njoftimi Policia ka bërë të ditur se donacioni iu dorëzua drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së.

“Sot, me datën 27 shtator 2023, në Kampin e Njësive Speciale ‘Vrella’, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së, pranuan donacion poligonin e sapondërtuar për trajnimin e Njësisë së qenve (K-9), e cila u dorëzua nga ambasadori i OSBE-së, misioni në Kosovë, z. Davenport”- thuhet në njoftim.

Në ceremoni të pranishëm ishin edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, përfaqësues nga Bashkimi Europian, Ambasadës franceze si dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Policia thekson se poligoni së bashku me pajisjet e specializuara për përdorimin e Njësisë K-9 është ndërtuar në kuadër të projektit “Mbështetje për forcimin e kapacitetit të Njësisë së qenve K-9 të PK-së, për zbulimin dhe konfiskimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve”, i financuar nga Bashkimi Europian, Gjermania, Franca dhe Norvegjia.

Në njoftim potencohet se Hoxha shprehu falënderim të veçantë për misionin e OSBE-së në Kosovë si dhe partnerët përkrahës financiarë të projektit si: Bashkimi Europian, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Francës si dhe e Norvegjisë.

“Ky poligon stërvitor do t’i shërbejë PK-së në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale dhe taktike në luftimin e të gjitha akteve kriminale, e në veçanti luftimin e përdorimit ilegal të armëve të vogla dhe të lehta, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vendin”- thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës tutje thekson se synon të jetë lider në rajon, në ngritje të kapaciteteve me Njësinë K-9 si dhe ofrimin e trajnimeve për njësitë me qen edhe për agjencitë e tjera në Kosovë si dhe në rajon me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe avancimit të kontributit të PK-së në sigurinë rajonale.

Derisa, ambasadori i Misionit të OSBE-Misioni në Kosovë, Michael Davenport, theksoi se është me rëndësi jetike që të forcohen kapacitetet për zbulimin dhe konfiskimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve të paligjshëm.

“Ky është prioritet i lartë për Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe për OSBE-në në tërë rajonin. Jam mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që OSBE-ja e ka me Policinë e Kosovës në këtë fushë, me mbështetje të Gjermanisë, Francës, Norvegjisë dhe BE-së. Është kënaqësi që bashkërisht i dorëzojmë PK-së Poligonin e ri dhe modern të trajnimit për Njësitë K9, duke shfrytëzuar potencialin e qenve të trajnuar mirë për të zbuluar dhe zmbrapsur tregtinë e paligjshme të AVL-ve”- ka thënë ai.

Gjatë ceremonisë së donacionit, në poligon nga Njësia K-9 u demonstrua një ushtrim.