Policia e Kosovës po interviston gruan e Millan Radoiçiqit

Hetuesit e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë duke intervistuar aktualisht në hapësirat e policisë në veri gruan e tashmë të kërkuarit si prijës i grupit terrorist në Banjskë më 2023, Millan Radoiçiqit.

Ema Radoiçiq është gruaja e Millan Radoiiçiqit. Ky i fundit që tash e disa muaj gjendet në arrati në Serbi pas sulmit terrorist në Banjskë më 24.09.2023.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë në veri të vendit, Veton Elshani.

“Konfirmojmë se në Mitrovicë – Veri është duke u intervistuar një person në prani të avokatit me ftesë të Krimeve Ekonomike në Prishtinë” – theksoi Elshani për KALLXO.com.

Në anën tjetër, KALLXO.com mëson se intervistimi i gruas së Radoiçiqit lidhet edhe me rastin Banjska, kryesisht edhe me pasurinë e organizatorit të sulmit – Millan Radoiçiq.

Burimet e KALLXO.com tregojnë se në këtë aspekt tashmë rastin do ta trajtojnë edhe Krimet Ekonomike.

Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, një pjesë e pasurisë që dyshohet se është e Radoiçiqit, por edhe në emër të gruas së tij, është sekuestruar nga Policia.

Në dhjetor 2023, organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin. KALLXO.com, raportoi se fletarrestimi ka të bëjë me sulmin e 24.09.2023 Banjskë, në veri të Kosovës. Vepra për të cilën dyshohet Radoiçiq është terrorizmi.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator.

Në orët e para të kësaj dite një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare.