Policia e Kosovës ndaloi një person që tentoi t’i kontrabandojë 6 migrantë, njëri prej tyre në bagazh të veturës

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit në afërsi të pikës kufitare Vërmicë ka ndalur një person të dyshuar duke kontrabanduar 6 migrantë.

Sipas Policisë, disa zyrtarë të Policisë sa ishin në lëvizje me automjet kishin vërejtur disa persona duke zbritur nga mali dhe duke kaluar rrethojën e autostradës, të cilët menjëherë filluan me shpejtësi të hynin në veturë, e cila veturë u nis menjëherë në drejtim të Prishtinës.

Policia thotë se zyrtarët policorë ndërmorën veprime të menjëhershme dhe arritën që veturën ta ndalin në autostradë, rreth 2 km nga pika kufitare e Vërmicës.

Pas kësaj, u identifikua drejtuesi i automjetit me iniciale L.N.(1987), përderisa pasagjerë ndodheshin gjashtë persona – shtetas  të huaj, prej tyre dy fëmijë.

“Katër nga shtetasit e huaj kishin dokumente identifikimi, pasaporta me viza valide. Në bagazhin e veturës i fshehur u gjend njëri nga shtetasit e huaj”, thuhet më tej.

Policia shton se në lidhje me rastin është informuar Prokurori i shtetit në Prizren, i cili ka autorizuar inicimin e rastit, dhe katër pasagjerëve shtetas të huaj iu refuzohet hyrja dhe deportohen në Shqipëri, përderisa dy pasagjerë tjerë të dërgohen në Qendrën për azil.

“Ndaj personit të dyshuarit iniciohet rasti për procedurë të rregullt dhe hetime të mëtejme”, thuhet në fund.