Aksioni në Prizren, Prokuroria sekuestroi armë zjarri dhe fishekë

Gjatë aksionit në Prizren, Prokuroria ka sekuestrur mes tjerash armë, fishekë, telefonë, vetura e autobusë.

Kështu ka njoftuar Prokuroria e Prizrenit, pas aksionit të së shtunës dhe bastijes në këtë qytet pas dyshimeve për kontrabandimin me emigrantë.

Nga aksioni u arrestuan 18 të dyshuar për kontrabandë me mbi 700 migrantë, që nga muaji mars e deri më 30 korrik të këtij viti.

Ndaj të dyshuarve Prokuroria e Prizrenit ka paraqitur kërkesën për paraburgim.

Që nga muaji mars e deri më 30 korrik 2022, dyshohet se mbi 700 emigrantë janë kontrabanduar nga Shqipëria në Kosovë, për të vijuar në shtetet perëndimore.

Nga të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si 4 armë zjarri, 1 elektroshok, 95 copë fishekë, 3 autobusë, 3 vetura, 2 radiolidhje, 17 telefona celularë, 1,707 euro, 250 dinarë.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për paraburgim në të cilën thuhet se nën dyshimet për kontrabandim me emigrantë janë arrestuar 16 persona. Një person, është arrestuar për pengim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe një është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Dosja e Prokurorisë: Kjo është skema që dyshohet se u përdor për kontrabandimin e 700 të huajve