Foto: KALLXO.com Ilustrim

Policia arreston të dyshuarin për grabitje brenda lokalit në Vrellë të Istogut

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar për një grabitje me armë në fshatin Vrellë të Istogut.

Policia ka njoftuar se me datë 11 shkurt rreth orës 19:50, nga pronari i një lokali në Vrellë ka pranuar një informacion se ka ndodhur një grabitje.

Policia ka bërë të ditur se në bazë të deklaratës së viktimës, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në lokalin e tij dhe i kanë grabitur para nga arka dhe nga xhepi.

Viktima ka deklaruar se gjatë grabitjes të dyshuarit e kanë goditur duke i shkaktuar lëndime, dhe pastaj të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë,  fillimisht është gjetur vetura e cila dyshohet se është përdorur në rast, ndërsa gjatë ditës së djeshme, rreth orës 16:00, është arrestuar i dyshuarit B.S., 24 vjeçar.

I dyshuari i cili është arrestuar dyshohet edhe për raste të tjera të grabitjeve në rajonin e Pejës dhe një rajoni tjetër jashtë zonës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit ndalohet për 48 orë.