Policia arreston një person, dyshohet për kontrabandim me migrantë dhe posedim të narkotikëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka arrestuar një të dyshuar për kontrabandim me migrantë si dhe posedim të narkotikëve.

Sipas njoftimit dje, rreth orës 22:10, njësia policore në Vërmicë, kanë ndaluar një automjet me targa vendore me drejtues të dyshuarin, i cili ishte duke marrë katër persona shtetas sirianë që dyshohet se janë migrantë të parregullt.

Gjatë kontrollimit të personit të dyshuar, Policia ka thënë se kanë gjetur 2 qese të vogla me gjithsej 122 gramë substancë narkotike të dyshuar të llojit ‘marihuanë’ .

Lidhur me rastin, Policia ka thënë se janë njoftuar njësitë kompetente policore për trajtim të mëtutjeshëm procedural ndaj migrantëve, ndërsa në konsultim me prokurorin të dyshuarit i është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij është thënë se është iniciuar rasti “Kontrabandim me migrantë” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”.

Ky veprim i Policisë është realizuar në vazhdën e zbatimit të planit operativ “Migrimi i parregullt”.