Policët e dorëhequr serbë dorëzojnë armët në Stacionin e Policisë në Mitrovicën e Veriut

Zyrtarë policorë që kanë ofruar dorëheqjet e tyre dje në Policinë rajonit të Mitrovicës së Veriut, mëngjesin e sotëm kanë arritur në këtë objekt për të dorëzuar armët dhe prangat.

Ekipi i KALLXO.com gjendet para këtij stacioni policor dhe po përcjell nga afër edhe zhvillimet që po ndodhin atje.

Disa në mënyrë të organizuar e disa individualisht, kanë sjellë armët dhe pranga nëpër qese e paketime të ndryshme. Deri më tani mbi dhjetëra zyrtarë kanë ardhë në stacionin policor për t’i dorëzuar pajisjet.

Në stacionin policor rajonal të Mitrovicës së Veriut, funksionon edhe mbikëqyrja kufitare, zyrtarët e saj të dorëhequr pritet që gjatë ditës t’i dorëzojnë po ashtu armët dhe prangat në këtë stacion policor.

Pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, për shkak të refuzimit dhe rezistencës për të lëshuar fletëqortime për pronarët e veturave me targa ilegale serbe, zyrtarët serbë nëpër institucionet e Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Derisa të dielen, më 6 nëntor, serbët kanë protestuar në mënyrë paqësore në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut, me flamuj të Serbisë, me sllogane të ndryshme nën tingujt e këngëve nacionaliste serbe.