Polemika mes ministres Gërvalla dhe ish-ministrit Hoxhaj për njohjet e reja dhe vizat

Në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet seanca me një pikë të rendit të ditës – debat parlamentar në lidhje me zhvillimet e politikës së jashtme të Kosovës.

Diskutimet rreth kësaj pike kanë ngjallur debat mes ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ish-ministrit dhe deputetit të PDK-së Enver Hoxhaj.

Ministrja Gërvalla ka sqaruar se pas agresionit rus dhe duke marrë parasysh shkeljet e të drejtës ndërkombëtare nga Rusia për pushtimin e Ukrainës, Kosova u është bashkuar shteteve demokratike me sanksione.

“Jo Amelika, Amelika, kështu tregohet partneriteti strategjik dhe kështu tregohet se në cilën anë qëndron Kosova. Më vjen keq të dëgjoj nga një ish ministër i punëve të jashtme  të Kosovës, që Kosova paska nevojë të ripozicionohet në sferën e politikës së jashtme. Jo, Kosova është pozicionuar shumë qartë sa i përket politikës së jashtme”, ka thënë Gërvalla.

Ajo tha se politika e jashtme e Kosovës është miqësi e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneritet me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Politika e jashtme e Kosovës është miqësi e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritet me NATO-n dhe me BE-në, kjo është politika e jashtme dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj ripozicionimi”, shtoi ministrja Gërvalla.

Për çështjen e njohjeve dhe liberalizimin e vizave, ministrja Gërvalla drejtuar ish-ministrit Hoxhaj tha se “ku e merr [Hoxhaj] këtë vendosshmëri që Kosova mos të ketë njohje të reja e as liberalizim”.

“Hoxhaj na garantoi se nuk ka njohje të reja dhe nuk do të ketë njohje të reja, na garantoi se jo që nuk ka liberalizim të vizave por as nuk do të ketë, as nuk do të ketë BE. Mua më lind pyetja se ku e merr këtë vendosshmëri zotëri Hoxhaj që Kosova të mos ketë as njohje të reja as liberalizim dhe as antarësim në BE”, ka deklaruar Gërvalla.

Ministra Gërvalla njoftoi se MPJD-ja ka zhvilluar 174 takime gjatë 12 muajve punë.

“Numri i takimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme është jo më pak se 174 takime gjatë 12 muajve punë. Prej tyre janë 52 takime vetëm me homologë nga pritjet në Kosovë, por edhe gjatë vizitave gjatë vendit. Numri i marrëveshjeve ndërkombëtare, rajonale dhe bilaterale është jo më pak se 182 gjatë një viti. 187 vendime ka marrë ministria e punëve të jashtme e cila këtu përmendet si inaktive”, tregoi Gërvalla.

Ndërsa ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Enver Hoxhaj kundërpërgjigjen ndaj ministres aktuale tha se po tërheqet nga debati.

“Kush kënd e ka thirrë në telefon në politikë të jashtme, nuk e di se çka bën njeri. Kështu që po heq dorë nga debati po i them ministres le të vazhdojë”, ka thënë Hoxhaj.

Në deklarimin e tij në fillim të seancës, Hoxhaj ka thënë se nuk pret njohje të reja, anëtarësime apo marrëveshje me Bashkimin Evropian.

“Ju kemi ftuar që të flasim seriozisht për këtë temë dhe unë dua të jem sa më telegrafik, nuk ka njohje dhe nuk pres që ka me pasë njohje, nuk ka anëtarësime dhe nuk ka me pasë anëtarësime. Nuk ka marrëveshje me Be të reja dhe nuk ka me pasë, as liberalizim vizash”, ka theksuar Hoxhaj.