Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Poentimi jotransparent në konkursin për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

Konkursi për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përmbyllur pas një procesi jotransparent të përzgjedhjes së kandidatëve që do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për votim. 

Komisioni vlerësues kishte vendosur të mbyllte për publikun dhe monitoruesit poentimin e kandidatëve pas intervistimit të tyre.

Poentimi i kandidatëve është faza më e rëndësishme e rekrutimit, pasi anëtarët e komisionit vendosin numrin e pikëve për secilin përgjigje të kandidatëve. 

Në konkurset e hapura nga Kuvendi dhe Qeveria, sidomos ato që bëhen me asistencë nga ekspertët britanikë, janë vendosur standarde të transparencës së plotë gjatë intervistimit dhe poentimit. Standardi është që anëtarët e komisionit vlerësues obligohen t’i bëjnë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve. Përveç kësaj, në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e komisionit vlerësues obligohen të japin arsyetime për secilin poentim të bërë.

Por, në procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën me juridiksionin më të lartë në vend, anëtarët e komisionit vlerësues nuk e panë të udhës t’i bëjnë publike pikët individuale për secilin kandidat dhe as t’i arsyetojnë ato para monitoruesve dhe kolegëve të tyre. Publik u bë vetëm totali i pikëve për secilin kandidat.

Komisioni ad-hoc që vendosi të mbyllte procesin e poentimit është kryesuar nga kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi. Kurse anëtarë të komisionit ishin: Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Naim Qelaj, Avokat i Popullit, si dhe deputetët Enis Kervan (Grupi 6+), Driton Selmanaj (LDK), Mimoza Kusari-Lila (LVV), Abelard Tahiri (PDK), Pal Lekaj (AAK) e Agim Ferati.

Këtë proces të rekrutimit e monitoruan monitoruesit e organizatave BIRN dhe Lëvizja FOL.

Përfaqësueset e të dy organizatave i kërkuan komisionit vlerësues publikimin e mënyrës së vlerësimit për secilin kandidat veç e veç. Mirëpo, arsyetimi i anëtarëve të komisionit ishte se në këtë mënyrë do të shkelej privatësia e kandidatëve, duke mos marrë fare për bazë parimin e publicitetit e transparencës që do ta shtonin peshën e rëndësisë së këtij procesi.

Kushtetuta e Kosovës e as Ligji për Gjykatën Kushtetuese në bazë të të cilëve është zhvilluar ky proces nuk ndalojnë publikimin e pikëve individuale për secilin kandidat. Askund nuk është e përcaktuar se publikimi i pikëve individuale të kandidatëve do të shkelë privatësinë e tyre.

Për më tepër, një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që kanë vendosur që të mbajnë të mbyllur procesin e poentimit në të kaluarën kanë qenë pjesë e komisioneve në konkurse të tjera në të cilat poentimi është bërë në mënyrë transparente. Madje, kishte deputetë që kanë marrë pjesë në procese të rekrutimit të asistuara nga ekspertët britanikë, të cilët e kanë instaluar standardin e poentimit të kandidatëve në mënyrë transparente.

Ky është rasti i dytë që për pozita kaq të ndjeshme e të rëndësishme mbyllet procesi i poentimit, pas rastit të fundit – përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka qenë mjaft i zëshëm për procesin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke deklaruar se procesi duhet të përsëritet për shkak të mungesës së transparencës. 

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent. Procesi që u zhvillua në KPK rezulton qartazi në shkelje procedurale e mungesë objektiviteti e transparence”, kishte thënë Rrustemi në Facebook.

Por, Rrustemi si pjesë e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ishte njëri prej më të zëshmëve për mospublikimin e pikëve individuale për secilin kandidat.

Kundërshtime të fuqishme lidhur me kumtimin e pikëve individuale për secilin kandidat nga secili anëtar i komisionit pati edhe nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri. Ai ka thënë se qytetarët nuk kanë pse e dinë mënyrën e vlerësimit të kandidatëve.

Edhe Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ishte kundër publikimit të pikëve individuale për secilin kandidat, me arsyetimin se një gjë e tillë do të mund të ndikonte jo mirë në reputacionin e kandidatëve.

Kurse pro kumtimit të pikëve individuale të secilit kandidat nga secili anëtar i komisionit ishin Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Namani. Disa prej anëtarëve të këtij komisioni nuk kanë qenë të pranishëm gjatë kohës kur është diskutuar publikimi apo jo i pikëve të dhëna nga secili anëtar i komisionit vlerësues për secilin kandidat.

Katër kandidatë për dy pozita të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese

Kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese fillimisht i janë nënshtruar testit me shkrim, e pastaj intervista me gojë.

Duhet të theksohet se pjesa e vlerësimit të kandidatëve për testin me shkrim është bërë në mënyrë anonime, secili test i secilit kandidat e ka pasur të vendosur një kod dhe gjatë vlerësimit të testeve me shkrim anëtarët e komisionit nuk kanë mundur ta dinë se testin e cilit kandidat po e vlerësojnë.

Për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë aplikuar 13 persona.

Ndërsa janë intervistuar 12 prej tyre: Flamur Hyseni, Safet Berisha, Bardh Bokshi, Emrush Kastrati, Selman Ymeri, Rexhep Gashi, Blerim Burjani, Etrur Maloku, Flutra Hoxha, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu e Valon Hasani. Kandidati tjetër, Rafet Haxhaj, nuk është paraqitur në intervistën me gojë.

Në intervistën me gojë kandidatëve iu parashtruan katër pyetje.

– Motivet, synimet dhe kontributi lidhur me pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese;

– Kufijtë e juridiksionit në mes të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave tjera;

– Kompetencat e Kuvendit që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës;

– Rastet kur Komuna mund të jetë palë e drejtperdrejtë dhe që mund të paraqesë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Pas përfundimit të testit me shkrim dhe intervistave, komisioni ka vendosur të dërgojë në Kuvend për votim katër kandidatë: Etrur Maloku, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu dhe Bardh Bokshi.

Prej katër kandidatëve emrat e të cilëve do të shkojnë për votim në Kuvend, dy prej tyre do të zgjidhen si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, nëse arrijnë të marrin votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, pas zhvillimit të procesit, komisioni, bashkëngjitur me listën e ngushtë, i dërgon Kuvendit të Republikës së Kosovës listën e të gjithë kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi për të propozuar shtatë (7) nga gjyqtarët varet nga miratimi i dy të tretave (2/3) të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Vendimi për të propozuar dy (2) gjyqtarët e tjerë merret me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, por që mund të bëhet vetëm pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet që janë të rezervuara ose garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Gjyqtarët emërohen nga presidenti i Republikës me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.

Pas përfundimit të procedurave të rekrutimit për Kryeprokuror të Shtetit që është konsideruar jotransparent përpos organizatave të shoqërisë civile kanë reaguar edhe institucionet ndërkombëtare: ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, deklaroi se dekretimin apo jo të kandidatit të propozuar për Kryeprokuror të Shtetit do ta bëjë vetëm pas takimit me anëtarë të organizatave të shoqërisë civile, të cilët e kanë monitoruar këtë proces, kjo për shkak të reagimeve për mostransparencë në zhvillimin e procesit.

BIRN do të bëjë kërkesë për qasje në listat për vlerësimin individual të secilit anëtar të komisionit për secilin kandidat për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.