Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Osmani do ta takojë shoqërinë civile para vendimit për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që e kanë monitoruar procesin për Kryeprokurorin e Shtetit, përpara se të dekretojë Blerim Isufajn si Kryeprokuror të Shtetit.

Kështu ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani.

“Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”, ka thënë ai.

Kupina ka konfirmuar se presidentja ka pranuar kërkesën nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) për dekretimin e Isufajt kryeprokuror.

“Lidhur me propozimin për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ju njoftojmë që Zyra e Presidentes të premten, me 8 prill, ka pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Sipas Kupinës, ‘Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet’.

“Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, ka theksuar ai.

Më 6 prill, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për kryeprokuror të ri të Shtetit.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë e kanë kundërshtuar procesin për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, duke kërkuar anulimin e këtij konkursi.

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit