Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, delegacioni i Kosovës takohet me Komisionin Europian

Gjatë ditës së djeshme, u mbajt takimi i parë në Bruksel në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që kap shifrën prej 6 miliardë eurove në formë të granteve dhe kredive për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kosovën është duke e përfaqësuar delegacioni i përbërë nga disa ministra.

Në bazë të një njoftimi të zyrë së kryeministrit, pjesë e delegacionit janë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Në njoftimin e zyrës së Kryeministrit, plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Bashkimit Evropian, rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e ndihmës financiare.

Në takim me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me delegacionin, diskutuan rreth reformave që Qeveria do t’i ndërmarrë në kuadër të agjendës së saj të reformave, e cila do të shërbejë si parakusht për përfitimin e fondeve nga plani i rritjes.

“Këto reforma do të jenë pjesë e disa shtyllave prioritare duke përfshirë: administratën publike, zhvillimin e sektorit privat dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, kapitalin njerëzor dhe sundimin e ligjit”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përmbushjen e këtyre reformave, me qëllim të përfitimit maksimal nga ky plan.