
Plagosja në Shtërpcë, konfiskohet një pistoletë dhe veturë nga i dyshuari
Një incident ka ndodhur në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, ku janë plagosur dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar.
Në lidhje me rastin Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.
“Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A. K. (M/K) i moshës 33 vjeçar”- thuhet në njoftim.
Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
Nga A. K gjithashtu është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur ai.
Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”- shkruan Mehaj.
Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari në një prononcim për KALLXO.com ka njoftuar se rrugët për të hyrë dhe dalë nga Shtërpca, janë bllokuar nga banorët.