Foto: Pixabay.com

Pjesëtarët e FSK-së dhe personeli i Ministrisë së Mbrojtjes do të udhëtojnë pa viza për në Mbretërinë e Bashkuar

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe personeli i Ministrisë së Mbrojtjes do të udhëtojnë pa viza për në Mbretërinë e Bashkuar për zhvillim të aktiviteteve ushtarake dhe zyrtare.

Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi bëri të ditur se për vendimin është njoftuar ministri, Ejup Maqedonci gjatë takimit me nënkolonelin, Steve Forrest.

“Sot, nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes në një takim me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar për vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për udhëtim pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar”- thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, ky vendim është rezultat i bashkëpunimit të thelluar në fushën e mbrojtjes, mirëbesimit të krijuar ndër vite dhe angazhimit të Republikës së Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes që udhëhiqen nga Mbretëria e Bashkuar.

“Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në procesin e shtet ndërtimit në përgjithësi dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendit tonë, në veçanti.  Kjo është edhe një dëshmi për kredibilitetin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te partnerët tanë”- thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.