Pesë të arrestuar në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, dyshohen për trafikim me armë dhe marijuanë

Katër burra në Pejë dhe një burrë në Gjakovë janë arrestuar në operacionet policore të realizuara nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit gjatë ditës së sotme.

Sipas Policisë së Kosovës, në rajonin e Pejës janë gjetur dhe konfiskuar armë. Ndërsa, në rajonin e Gjakovës janë gjetur dhe konfiskuar po ashtu armë por dhe bimë narkotike.

Policia ka bërë të ditur se operacioni policor i zhvilluar në rajonin e Pejës, ka ardhur si rezultat i zhvillimit të hetimeve intensive që të zbardhen veprimtaritë kriminale, ku të përfshirë kanë qenë disa persona të dyshuar për trafikim të armëve.

Gjatë operacionit policor janë identifikuar dhe arrestuar katër burra.

“Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, prona të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave dhe dëshmive ku janë gjetur dhe konfiskuar: Pesë armë (një AK-47 dhe katër revole), një predhë trombloni dhe dyqind fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dëshmi tjera” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

FOTO: Policia e Kosovës
FOTO: Policia e Kosovës
FOTO: Policia e Kosovës
FOTO: Policia e Kosovës
FOTO: Policia e Kosovës

Kurse sa i përket operacionit policor të zhvilluar në rajonin e Gjakovës, Policia e Kosovës ka njoftuar se në këtë operacion është arrestuar një burrë pasi ai në një zonë malore kishte kultivuar bimë narkotike të llojit ‘kanabis sativa’.

Nga ky lloj i bimëve policia ka njoftuar se janë gjetur gjithsej njëqind e shtatë bimë me një gjatësi prej 2.5m.

Sipas policisë, me udhëzim të prokurorit kompetent këto bimë janë shkatërruar, ndërsa një pjesë e tyre janë marrë për ekzaminim.

PK-ja ka njoftuar se nga ky i dyshuar janë gjetur edhe armë.

Bimët narkotike të gjetura në Lug-Bunar të Gjakovës. FOTO: Policia e Kosovës
FOTO: Policia e Kosovës
FOTO: Policia e Kosovës