Përplasje mes qeverisë e AAK-së për projektet kapitale të komunave

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri ka thënë se raportet në mes qeverisë dhe komunave nuk kanë qenë asnjëherë më të dobësuara në raport me projektet kapitale.

Sipas Tahirit, komunat për projektet e dorëzuara nëpër ministri nuk po marrin përgjigje.

Ai ka thënë se Qeveria duhet urgjentisht që në procesin e rishikimit buxhetor të adresojë kërkesat reale të komunave të Kosovës.

“Investimet kapitale në komuna janë të bllokuara. Informacionet e para nga kryetarët e komunave që ne si subjekt i udhëheqim, është që projektet e dorëzuara nëpër ministri nuk kanë asnjë përgjigje. Investimet nëpër komuna të trajtohen në bazë të kritereve që janë në MF dhe nëse nuk ndodh kështu, bllokada do të jetë me efekte të mëdha”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati është kundërpërgjigjur duke thënë se këto deklarata janë të pavërteta.

Sipas Muratit asnjë projekt nuk bllokohet nga Qeveria dhe se të gjitha komunat do të trajtohen sipas peshës që kanë.

“U thanë disa të pavërteta, u tha se Qeveria apo Ministria po bllokon projektet komunale, kjo është e pavërtetë. Kushdo që e din se si funksionin pushteti lokal e din që komunat kanë autonomi të plotë për sa i përket shpejtimit të projekteve të tyre. Të gjitha projektet që i kanë në buxhet komunat munden që sot t’i kryejnë. Asnjë projekt nuk bllokohet nga Qeveria. Të gjitha komunat do të trajtohen sipas peshës që kanë”, ka thënë ai.