Përparim Rama: Nëse nuk na lejohet bartja e të hyrave vetanake, drejtohemi në Kushtetuese

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.

Rama ka njoftuar se i ka kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës “ashtu siç i takojnë”.

“Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave”

“Janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade” – ka shkruar kryetari Rama në Facebook.

Në të kundërtën, Rama ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”- ka thënë Rama.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave dhe është duke pritur përgjigje nga ky institucion.