Artan Cerkini FOTO: Adelina Ahmeti, KALLXO.com Bastisja e baneses nga Gjykata Speciale

Përfundon bastisja nga Gjykata Speciale, avokati i Adil Behramajt tregon pretendimet e Prokurorisë

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it është duke asistuar në një aksion të Gjykatës Speciale për bastisjen e një banese në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Kjo bastisje po bëhet në banesën e Adil Behramajt, ish-këshilltar politik i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Avokati i Behramajt, Artan Çerkini tha se bastisja e banesës është bërë me urdhër të Dhomave të Specializuara nën pretendimin për një vepër penale që sipas tyre është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara.

“Sot me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, të dhomave te specializuara është bastisur banesa e Adil Behramajt në lidhje me një pretendim të Prokurorisë për një vepër penale që sipas tyre është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, mbrojtja e ka parë vendimin, e ka bërë një vlerësim fillestar të tij, mendojmë se ky vendim në disa pika është i përfshirë në shkelje kushtetuese, mirëpo ne këto çështje do t’i adresojmë në momentin e duhur. Na është thënë vetëm se është vepër penale që lidhet me çështjen e juridiksionit të Dhomave të Specializuara”- ka thënë ai para gazetarëve.

Çerkini i pyetur se a lidhet bastisja me gjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ai tha se është herët të flitet për një gjë të tillë.

“Është shumë herët të flitet për një gjë të tillë, nuk kanë dhënë komente se për çfarë hetimi bëhet fjalë, z, Behramaj nuk është njoftuar as për shkakun as për bazën e akuzave potenciale”- tha ai.

Avokati Çerkini më herët konfirmoi se Adil Behramaj ndodhet brenda banesës ku zhvillohej bastisja.

FOTO + VIDEO – Bastisje nga Gjykata Speciale në një lagje të Prishtinës