Më 24 mars u bënë 25 vjet nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999, në Kosovë filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.
Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka numër shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh./ REL