Për shkak të coronavirusit shtyhet mbajtja e Festivalit të Kanës

Organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë, kanë njoftuar përmes një komunikate për media se kanë anuluar mbajtjen e edicionit të 73-të të Festivalit të Kanës, për shkak të coronavirusit.

Edicioni 73-të i këtij festivali ishte planifikuar të mbahej nga 12 deri më 23 maj 2020.

Sipas njoftimit të Festivalit të Kanës, mbajtja e festivalit shtyhet për në fund të qershorit, apo fillim të korriku të 2020-ës.

Në këtë periudhë të krizës globale shëndetësore, thuhet më tej në komunikatë, organizatorët e festivalit kujtojnë viktimat e COVID-19, dhe shprehin solidaritetin e tyre me të gjithë ata që luftojnë kundër sëmundjes.

“Sot, ne morëm  vendimin e mëposhtëm: Festivali i Filmit në Kanë nuk mund të mbahet në datat e përcaktuara, nga 12 deri në 23 maj. Disa hipoteza janë duke u shqyrtuar, kryesorja prej të cilave do të ishte një shtyrje e thjeshtë, në Kanë, në fund të qershorit – në fillim të korrikut 2020”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

Po sipas kësaj komunikate organizatorët premtojnë se do të njoftojnë me kohë për mbajtjen e festivalit varësisht nga zhvillimet rreth situatës sa i përket pandemisë së coronavirusit.