Pjesëmarrës në “Si të shoh unë ty?” në festivalin e filmit DokuFest në Kosovë, 10 gusht 2022. Foto: BIRN

DokuFest afron të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë

Një ekspozitë në festivalin ‘DokuFest’ tregon të rinj nga Kosova dhe Serbia teksa përballen me njëri-tjetrin mbi sfidat dhe supozimet sociale duke iu përgjigjur pyetjes “Si të shoh unë ty?”.

Një ekspozitë multimediale në Festivalin e Filmit të Kosovës ‘DokuFest’ tregon 14 të rinj nga Kosova dhe Serbia që përballen me njëri-tjetrin mbi sfidat dhe supozimet sociale të bazuara në narrativat e krijuara nga përhapja e propagandës dhe lajmeve të rreme në të dy vendet.

Zana Arapi Xheladini, koordinatore e projektit, tha për BIRN se “qëllimi i projektit është që të bashkojë të rinjtë nga Kosova dhe Serbia dhe, nëpërmjet kampeve kulturore, të organizuara në Kosovë dhe Serbi, të kalojnë sa më shumë kohë me njëri-tjetrin, dhe kuptojnë se ndryshimi kryesor mes tyre është gjuha”.

“Qëllimi kryesor është të zbehen gjërat negative të publikuara në media të caktuara” – në lajmet e rreme dhe në propagandën e përhapur mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të konfliktit të ngrirë mes dy vendeve.

Ekspozita “Si të shoh unë ty?” pati premierën të mërkurën në shtëpinë e Shani Efendisë, një ish-shtëpi komunitare afër kinemasë Lumbardhi në Prizren dhe do të jetë e hapur deri në ditën e fundit të DokuFest, më 13 gusht.

“Si të shoh unë ty?” është rezultat i një programi shkëmbimi nga DokuFest, Festivali Slobodna Zona dhe Fondacioni B92, me pjesëmarrës të moshës 18 deri në 25 vjeç nga Kosova dhe Serbia. Të rinjtë kaluan një javë së bashku në Kosovë apo Serbi duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme dhe duke u shoqëruar me njëri-tjetrin.

Ditën e fundit ata patën një bisedë kokë më kokë në shqip dhe serbisht, me ndihmën e përkthyesve, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi arsyen e pjesëmarrjes në program, nëse kishin ndryshuar mendimin e tyre për personin që kishin përballë, përvojën e tyre të të mësuarit dhe kështu me radhë.

Ekspozita “Si të shoh unë ty” në DokuFest, Prizren, 10 gusht 2022, Foto: BIRN

Programi filloi në vitin 2020 dhe për shkak të pandemisë COVID-19, organizatorët patën disa vështirësi sepse “të gjitha takimet e planifikuara fizike duhej të zhvendoseshin online”, thotë Arapi Xheladini.

Sipas saj, takimet online në vitin 2020 patën ndikim. Megjithatë, ndryshimi ishte shumë i dukshëm kur pjesëmarrësit e vitit të ardhshëm u takuan fizikisht.

Gjithsej 47 pjesëmarrës kanë qenë pjesë e “Si të shoh unë ty?” në tre vitet e fundit dhe Xheladini thotë – “Edhe sikur të flasin për këtë përvojë me vetëm dy-tre persona, ndikimi është shumë i madh.”

Ajo kujton pjesëmarrësit nga Serbia të cilën janë shprehur se tani do të jenë më të kujdesshëm se nga cilat media do të informohen dhe nuk do t’i besojnë narrativave negative për Kosovën dhe shqiptarët etnikë. Pjesëmarrësit nga Kosova e kuptuan se ishin të sigurt po të flisnin shqip në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Kampi kulturor i radhës do të mbahet në shtator 2022, në Serbi.

Artikulli fillimisht u publikuar në BalkanInsight.