Foto: Anibar Media Team

244 filma të animuar do të shfaqen këtë vit në Festivalin 'Anibar'

Në edicionin e dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar në Kosovë  ‘Anibar’ do të shfaqen 244 filma të animuar, që janë selektuar nga 1223 të cilët kanë aplikuar për këtë edicion.

Festivali ‘Anibar 2019’, ka për temë “Frikën dhe Shpresën”.

Filmat do të shfaqen në Kinemanë Jusuf Gërvalla, Kinemanë e Liqenit, Kinemanë e Kubave dhe Teatrin Istref Begolli.

86 filma do të shfaqen në kategoritë e Filmit Ndërkombëtar të Animuar; Filmit të Studentëve; Filmave të Ballkanit; Filmave të Animuar Muzikor, si dhe Filmave të Metrazhit të Gjatë të Animuar.

Krahas këtij programi garues do të ketë edhe programe jashtë garës si panorama dhe programi për fëmijë dhe adoleshentë.

Në mesin e filmave që do të shfaqen ka edhe filma të cilët janë nominuar dhe kanë fituar në festivalet më të mëdha të filmit dhe filmit të animuar.

Krahas programit garues të edicionit të dhjetë, do të ketë edhe programe speciale, prezantime, diskutime, panele, masterklasa dhe punëtori.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar në Kosovë – ANIBAR – këtë vit mbahet nga 15 deri më 21 korrik 2019.

Programin e filmave që do të shfaqen në këtë edicion të festivalit e gjeni KËTU.