Milorad Dodik dhe Vladimir Putin, Foto ilustrim: Faqja e Presidentit të Rusisë

Për Rusinë, vendimi i gjykatës për Dodikun cenon unitetin e Bosnjë e Hercegovinës

Rusia ka deklaruar të enjten se vendimi i një gjykate boshnjake që ia ndalon liderit separatist serb mbajtjen e posteve publike sipas rregullave të emisarit ndërkombëtar të paqes, e ka vënë në rrezik ekzistencën e Bosnje-Hercegovinës si vend i bashkuar, raporton Reuters.

Komisioni i zgjedhjeve i Bosnjë-Hercegovinës ka vendosur të mërkurën që t’ia marrë Millorad Dodikut të gjitha kompetencat publike pasi Gjykata e Apelit mbajti javën e kaluar në fuqi verdiktin për burgosjen e tij për një vit dhe ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë politike për gjashtë muaj.

Dodiku, një nacionalist pro-rus me marrëdhënie të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe politikan që kaherë është angazhuar për ndarje të rajonit të dominuar serb nga Bosnjë e Hercegovina, dhe shpesh ka vepruar që të bllokojë integrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në Bashkimin Europian dhe NATO.

Në reagimin pas verdiktit të gjykatës, Ambasada ruse ka thënë se “verdikti i politizuar” është marrë nën presion të vendeve perëndimore, të cilat kanë përdorur agjencitë e zbatimit të ligjit “për të shkatërruar kundërshtarët e tyre”.

“Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të përballojë të bëjë një gabim historik”, thuhet në deklaratën e shkruar të Ambasadës ruse. “A mos është harruar reputacioni i saj i ‘fuçisë europiane të barutit?’”

“Sepse nuk po rrezikohet vetëm vendi i Bosnjës dhe Hercegovinës në ‘familjen europiane demokratike’… Në të vërtetë, po rrezikohet edhe ekzistenca e Bosnjës dhe Hercegovinës si një vend i bashkuar”.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 2021, Rusia dhe Kina kishin bllokuar mbështetjen e Christian Schmidtit, ish-ministër qeveritar nga Gjermania, si Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar në Bosnjë me mandat për të parandaluar rrëshqitjen e Bosnjës multietnike përsëri në luftë civile.

Nacionalistët serbë të Bosnjë e Hercegovinës asnjëherë nuk e kanë njohur Schmidtin si emisar legal, e as nuk i kanë respektuar vendimet e tij.

Dodik nuk e ka bërë hesap vendimin e gjykatës në shkurt. Të mërkurën, ai ka shpallur një referendum nëse duhet të mbetet në detyrë dhe ka akuzuar Schmidtin dhe myslimanët (boshnjakët) për konspiracion për ta rrëzuar.

Rusia u ka bërë thirrje autoriteteve boshnjake që ta hedhin poshtë “diktatin e jashtëm” dhe që të punojnë për të reduktuar tensionet.

“Nëse situata del prej kontrolli, ata do të bartin përgjegjësinë” – thuhet në deklaratën e Ambasadës.

“Momenti për të vërtetën për Bosnjën dhe Hercegovinën ka ardhur, sepse pas kësaj mund të mos ketë më pikë të kthimit”.

Bosnje e Hercegavina po përballet me krizën më të ashpër politike prej luftës së viteve 1992-95, që mori jetën e së paku 100 mijë personave. Marrëveshja e Paqes e Daytonit ndau Bosnjë-Hercegovinën në entitetet federale serbe dhe boshnjako-kroate, me qeverisje të brishtë qendrore.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com