Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pejë, arrestohet personi që dyshohet se mashtroi me bileta të udhëtimit duke përfituar mbi 10 mijë euro

Policia në Pejë ka arrestuar një person të dyshuar për mashtrim me rezervim të biletave të udhëtimit.

Sipas policisë, më datë 12 shtator 2022 rreth orës 21:40, viktima kishte raportuar në Stacionin Policor në Pejë se me datën 31 gusht  2022 kishte paguar dy bileta udhëtimi në vlerë prej 1 mijë e 38 euro në një agjenci turistike në Pejë.

Viktima, sipas raportit policor, kur kishte shkuar në Aeroportin e Prishtinës, kishte kuptuar se udhëtimi nuk mund të realizohej, pasi nuk i ishte bërë rezervimi nga agjencia ku kishte bërë pagesën e biletave të udhëtimit.

Policia tutje potencon se ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, derisa me urdhër Prokurorit të shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Kurse, më datë 14 shtator 2022 në Stacionin Policor Pejë, kanë raportuar edhe shtatë viktima tjera të cilat kishin rezervuar bileta udhëtimi për pushime jashtë vendit në shumë prej 9 mijë e 836 euro.

Në agjenci viktimat kishin paguar për bileta udhëtimi shumën prej 10 mijë e 874 euro.

Rasti është në proces nga njësiti i hetimeve Stacioni Policor Pejë.