Uran Ismaili dhe Eliza Hoxha, 4 maj 2022/ Foto: PDK

PDK thotë se qytetarët po vazhdojnë të paguajnë energjinë me 100 për qind rritje

Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media e kanë cilësuar si të pa drejtë vendimin e Qeverisë për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismajli ka thënë se ky vendim ka qenë i panevojshëm dhe që sipas tij është e pakuptimtë që qytetarët të paguajnë faturat e rrymës me rritje kur ka prodhim të mjaftueshëm për nevojat e konsumit.

“Sot jemi këtu për të paraqitur dhe për të zbërthyer këto fakte dhe kemi marrë si shembull muajin mars kur qytetarët tanë kanë paguar energjinë elektrike me 100 për qind. Prodhimi i energjisë ka mbuluar kërkesën e e konsumit. Madje, vetëm gjatë muajit mars, sipas shifrave që po i shihni, Kosova ka prodhuar 170 mijë megavat më shumë sesa kërkesa e konsumit. Ndërkaq, ka importuar vetëm 0.56 për qind energji elektrike”, ka sqaruar Ismaili.

Ai tha se faktet tregojnë që Kosova nuk ka pasur krizë energjetike duke shtuar se ato fakte do të dalin pas komisionit hetimor parlamentar për energjinë.

“Ato fakte apo ato të vërteta do të dalin pas komisionit hetimor parlamentar. Por ajo që e dimë është se shpenzimi që ju ka ndodhë qytetarëve, ndarja e 100 milionë eurove, kanë qenë të pa nevojshme dhe të pa drejta dhe sot është një pa drejtësi e madhe që po ju bëhet qytetarëve tanë”, u shpreh Ismaili.

Nënkryetari i PDK-së shtoi se ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët e Kosovës në një dilemë se ku duhet ndarë buxhetin familjar.

“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët tanë para një dileme të madhe se ku duhet ndarë buxhetin familjar, a duhet të shkoj në produktet bazike të cilat janë shtrenjtuar, a duhet të paguajë faturën apo të hyj në borxhe familjare për të mbuluar muajin. Ky vendim me të cilin qytetarët tanë janë dëmtuar financiarisht ka qenë i padrejtë, i panevojshëm dhe faktet sot tregojnë që ne nuk kemi pasur nevojë fare ta ngrisim çmimin e energjisë”, ka deklaruar Ismaili.

Ndërkaq, deputetja Eliza Hoxha nga PDK ka folur për themelimin e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ajo tha se PDK ka iniciuar themelimin për Komisionin hetimor parlamentar për energjinë që sipas saj deputetët e LVV-së po tentojnë ta pamundësojnë.

Sipas deputetes Hoxha kur kërkesa për themelim të komisionit vie nga 1/3 e deputetëve, Kuvendi detyrimisht themelon komisionin.

“Pra, që të jemi të qartë, ky komision tashmë me kushtetutë dhe me Ligjin për hetim parlamentar duhet të cilësohet si i themeluar. Në të kundërtën çdo përpjekje për ta penguar dhe parandaluar themelimin e këtij Komisioni Hetimor përbën shkelje kushtetuese dhe cenim të demokracisë në vend. Kjo është hera e parë që në historinë parlamentare të pengohet themelimi i një komisioni hetimor, por kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri e shkelë kushtetutën”, ka theksuar Hoxha.

Sa i përket nismës së LVV-së për themelimin e një komisioni hetimor i cili do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022, Hoxha tha se që është pro kësaj nisme por siç ka thënë ajo imponimi i numrave që ka pozita për të hyrë në agjendë parlamentare, është cenim i demokracisë.

“Për më shumë se 10 vite që LVV ka qenë në opozitë, nuk e ka parë asnjëherë të arsyeshme që në atë kohë të bëjë një nismë për hetim parlamentar për energjinë. Absolutisht unë jam pro, ata mund të bëjnë një komision tjetër që mund të ketë si fushëveprim krejt pikat që ata i kanë precizuar por që imponimi pikërisht për numrat që i kanë për të hyrë në agjendë të një nisme parlamentare opozitare për një çështje specifike, mendoj që është cënim i demokracisë dhe imponim i agjendës parlamentare“, u shpreh Hoxha.

Tutje, Hoxha ka theksuar nisma e LVV-së për një komision përbën ironi pasi sipas saj, në historinë parlamentare të Kosovës, instrumenti për hetim parlamentar është i përdorur nga opozita.

“Nisma tjetër për një hetim parlamentar për po të njëjtën çështje por në një kornizë më zgjeruar, ajo mund të bëhet meqë është nismë e një grupi tjetër parlamentar pa një grupi tjetër parlamentar. Për mua po ashtu përbën një ironi të llojit të vetë sepse në historinë parlamentare të Kosovës, instrumenti për hetim parlamentar është i përdorur nga opozita për të kërkuar më shumë llogari dhe për të mbajtur përgjegjëse Qeverinë për vendimet”, shtoi deputetja Hoxha.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ditë më parë ksihte dorëzuar kallëzim penal kundër anëtarëve të  Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike.

Pas dorëzimit të kallëzimit penal, Sekretari i PDK-së, Bajrush Xhemajli në një konferencë për media tha se ZRrE-ja, sipas tij, përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës, ka dezinformuar opinionin publik, se gjoja vendimi nuk mund të zbatohet pasi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Për shkak të krizës energjetike, në Kosovë është rritur çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve në muaj.

Pas situatës së krijuar, Qeveria e Kosovës ishte zotuar do të ndajë 75 milionë euro për të zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifat e energjisë elektrike, për të subvencionuar shpenzimet e rrymës së qytetarëve dhe bizneseve.

Partitë parlamentare opozitare e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në votime në Kuvendin e Kosovës, me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Bojkotimi i votimeve në legjislativ u vendos nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi më 19 prill të këtij viti në seancën e Kuvendit nuk u arrit që në rend të ditës të përfshihet formimi i Komisionit hetimor.

Për këtë mocion procedural votuan vetëm 33 deputetë, gjë që nuk siguroi kuorumin e mjaftueshëm për kërkesën opozitare.

Partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka përkrahur nismën e opozitës, të inicuar nga PDK-ja.

Ditë më pas, LVV së bashku me 40 deputetë të tjerë kanë dorëzuar në Kryesi të Kuvendit propozimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

Sipas propozimit, ky Komision Hetimor do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë nuk kaloi as javën e kaluar në seancën e së ejtes.

Anipse të pranishëm në Kuvendin e Kosovës ishin 61 deputetë vetëm tre prej tyre morën pjesë në votim.

Në votim për komisionin hetimor parlamentar për energjinë nuk morën pjesë as vetë opozita.

Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pamundësi ligjore që të zgjidhet kryesuesi i komisionit nuk propozon emra.

“Grupi parlamentar i Lëvizjes nuk propozon emra. Në pamundësi ligjore që të zgjidhet kryesuesi i komisionit, LVV nuk propozon emra për komisionin hetimor parlamentar”, ka thënë Kusari-Lila.

Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar si zëvendëskryesues Ferat Shalën dhe anëtare – deputeten Eliza Hoxha.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar për kryesues deputetin Driton Selmanaj dhe anëtar Besian Mustafën.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar për anëtar deputetin Pal Lekaj.

Kurse, grupi multietnik nuk ka pasur propozues.