PDK dorëzon kallëzim penal ndaj anëtarëve të Boridt të ZRrE

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot ka dorëzuar kallëzim penal kundër anëtarëve të  Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike.

Pas dorëzimit të kallëzimit penal, Sekretari i PDK-së, Bajrush Xhemajli në një konferencë për media tha se ZRrE-ja, sipas tij, përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës, ka dezinformuar opinionin publik, se gjoja vendimi nuk mund të zbatohet pasi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

“Pasi ZRRE mori vendim në fillim të muajit shkurt për shtrenjtimin e energjisë elektrike, PDK duke vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, konsumatorëve familjarë të energjisë elektrike, ka parashtruar Padi për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së. Dhe krahas kësaj padie, ne kemi bërë edhe kërkesë për shtyrjen përkatësisht pezullimin e vendimit të ZRRE-së, deri në shqyrtimin dhe vendosjen meritore të Padisë, me qëllimin që të evitohen pasojat e mëdha dhe humbjet që ky vendim po u shkakton qytetarëve tanë”, tha Xhemajli.

Xhemajli gjithashtu ka kritikuar Qeverinë, që sipas tij, kjo paligjësi siç e ka quajtur ai, po kalon në heshtje nga kryeministri dhe tërë mazhoranca.

“Krejt kjo paligjësi, po kalon në heshtje nga Kryeministri dhe tërë mazhoranca në Qeveri e Parlament, që tregon se janë në sinkron të plotë me ZRRE-në. Bordi i ZRRE, ka vendosur të veproj mbi ligjin e mbi vendimin gjyqësor, prandaj ne këtë nuk do ta tolerojmë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për qytetarët të cilët po plaçkitën.”, shtoi Xhemajli.

Xhemajli tha se PDK mirëpret fillimin e hetimeve penale ndaj Bordit të ZRRE-së, sepse sipas tij,  beson në shtetin ligjor dhe demokratik.

Ndërkaq, Faton Fetahu, avokat i PDK-së tha me këtë rast, nga ky muaj kur qytetarët e Kosovës t’i pranojnë faturat e energjisë me rritje të çmimeve, ata kanë të drejtë ligjore të bëjnë padi individuale ndaj KESCO-s dhe ZRRE-së, për shkak se sipas tij, ky faturim tanimë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, rrjedhimisht është pa bazë ligjore.

“Meqenëse operatori i shpërndarjes me udhëzime të anëtarëve të bordit të ZRRE-së nuk e respektuan aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ky kallëzim penal ndaj secilit anëtar të bordit të ZRRE-së do të sjellë pasoja të rënda juridike për ta. Meqenëse ata i kanë konsumuar tashmë 4 vepra penale, baza e të cilave lidhet me mos zbatimit e vendimit gjyqësor dhe ata me dashje dhe me qëllim kanë dëmtuar interesin e qytetarëve, të cilët i ka mbrojtur Gjykata me vendimin e saj”, tha avokati Faton Fetahu.

Zyra e Rregullatorit me 8 shkurt kishte vendosur tarifa të reja të energjisë, më të larta se ato të kaluarat, për shkak të krizës dhe problemeve me furnizim me energji elektrike.

Ndërsa me 9 prill, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesë padinë e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për aprovimin e tarifave të reja.

Me këtë aktvendim, Gjykata ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor.

Shtyhet ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së për ta shtrenjtuar rrymën