Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

LVV propozon Komision Hetimor për energjinë, kërkon hetim nga viti 2006

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila së bashku me 40 deputetë të tjerë kanë dorëzuar në Kryesi të Kuvendit propozimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

Sipas propozimit, ky Komision Hetimor do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Në rast se kalon ky propozim i LVV-së, ky komision hetimor do të hetonte edhe procesin e privatizimit të KEDS-it, proces që ishte kundërshtuar edhe me protesta nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Iniciativën për këtë komision hetimor e ka përkrahur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra tha se nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës në rend dite është Komisioni Hetimor për të zbardhur keqmenaxhimin që ka ndodhur me rastin e krizës energjetike në vend.

Komisioni hetimor për energjinë kishte dështuar të votohet në Kuvendin e Kosovës më 28 mars.

Deputetët e pushtetit nuk kishin përkrahur propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për këtë komision duke e konsideruar si përpjekje të kundërligjshme.

Opozita kishte kërkuar që të hetohen vendimet e qeverisë Kurti në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike dhe reduktime të energjisë elektrike në dhjetor të vitit të kaluar.

Për shkak të krizës energjetike, në Kosovë është rritur çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve në muaj.

Pas situatës së krijuar, Qeveria e Kosovës ishte zotuar do të ndajë 75 milionë euro për të zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifat e energjisë elektrike, për të subvencionuar shpenzimet e rrymës së qytetarëve dhe bizneseve.

Partitë parlamentare opozitare e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në votime në Kuvendin e Kosovës, me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Bojkotimi i votimeve në legjislativ u vendos nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi të martën në seancën e Kuvendit nuk u arrit që në rend të ditës të përfshihet formimi i Komisionit hetimor.