
Kuvendi nuk ka kuorum që të votojë për komisionin hetimor për energjinë
Anipse të pranishëm në Kuvendin e Kosovës ishin 61 deputetë vetëm tre prej tyre morën pjesë në votimin në lidhje me formimin e komisionit hetimor parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Tre deputetët kanë abstenuar, rezultat të cilin kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka quajtur si më të çuditshmin.
“Mund të konstatoj se ky është rezultati me i çuditshëm, prej 61 deputetëve kanë votuar vetëm 3, e këta kanë abstenuar”, ka konstatuar Konjufca.
Në votim për komisionin hetimor parlamentar për energjinë nuk morën pjesë as vetë opozita.
Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pamundësi ligjore që të zgjidhet kryesuesi i komisionit nuk propozon emra.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes nuk propozon emra. Në pamundësi ligjore që të zgjidhet kryesuesi i komisionit, LVV nuk propozon emra për komisionin hetimor parlamentar”, ka thënë Kusari-Lila.
Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar si zëvendëskryesues Ferat Shalën dhe anëtare – deputeten Eliza Hoxha.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar për kryesues deputetin Driton Selmanaj dhe anëtar Besian Mustafën.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar për anëtar deputetin Pal Lekaj.
Kurse, grupi multietnik nuk ka pasur propozues.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kishin lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.
Një ditë më vonë, dështuan edhe disa mbledhje të komisioneve parlamentare pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në mbledhje.
Formimi i komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk kishte kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 mars të këtij viti.
Opozita po kërkon që të hetohen vendimet e Qeverisë, në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike dhe reduktime të energjisë elektrike në dhjetor të vitit të kaluar.